Prishtinë. Privatizimi i Qendrës së Skijmit në Brezovicë, nuk po ndodh ashtu siç është proklamuar në vazhdimësi nga zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).
Zyrtarë të këtij institucioni në vazhdimësi kanë përmendur data konkrete për fillimin e procesit të privatizimit, por pakënaqësitë e serbeve lokal kanë bërë që AKP-ja të zmbrapset nga ky proces. Por, më në fund kur serbët janë pajtuar për privatizimin e Brezovicës, AKP-ja është duke e neglizhuar ketë proces.
Zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi, thotë se janë duke punuar në vazhdimësi për ta përgatitur privatizimin e qendrës së skijimit.
“Po punohet në hartimin e masterplanit, në koordinim dhe përkrahje të plotë nga zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë dhe në bashkëpunim me palët e tjera të përfshira në proces, për përgatitjen dhe dokumentimin e mënyrës më të mirë të mundshme dhe propozimeve të ndryshme për zhvillimin dhe veprimet në drejtim të privatizimit të Brezovicës”,tha ai. Sipas tij, gjatë punimit të master planit janë duke u marr parasysh nevojat dhe kërkesat e të gjitha palëve të interesit, në mënyrë që në këtë zonë të zhvillohet jo vetëm turizmi dimëror, por të ketë turizëm gjatë tërë vitit. Edhe Naser Osmani, nënkryetar i bordit të AKP-së, thotë se në mbledhjen e fundit të bordit kanë biseduar rreth çështjes së privatizimit të Brezovicës.
“AKP-ja për privatizimin e Brezovicës është duke u konsultuar edhe me Komisionin Evropian, sepse këta të fundit janë donatorë të AKP-së. Si përfundim është lënë që menaxhmenti i AKP-së të na sjellë një propozim rreth privatizimit të kësaj qendre të skijimit. Unë besoj se shumë shpejt në praktikë do të fillojë privatizimi i Brezovicës”, tha ai. Edhe Osmani thotë se prej kohës kur ai është pjesë e bordit të AKP-së nuk ka pasur asnjë problem, apo pengesë nga serbët lokal rreth fillimit të privatizimit të qendrës së skijimit në Brezovicë. Në anën tjetër, Haxhi Arifi, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe njëherësh anëtar i bordit të AKP-së, thotë se procesi i privatizimit të qendrës së skijimit paksa ka ngelur. Sipas tij, punët në përgatitjen për privatizim nuk kanë ecur ashtu si janë paraparë.
“Njëri prej anëtareve ndërkombëtar të bordi ka shkuar në Bullgari dhe ai atje është duke parë nga afër praktika se si ka ecur privatizimi i qendrave të njëjta sikurse Brezovica. Kur ai të kthehet, do të na prezantojë në Bord një raport dhe më pas do të ecet me hapa më të shpejtë”, tha ai.
Sipas Arifit, vonesa dhe shtyrjet e një pas njëshme të procesit të privatizimit e dëmtojnë në masë të madhe këtë kompani, por si dhe e dëmtojnë imazhin e Kosovës karshi investitorëve ndërkombëtarë.
“Sa më shumë të shtyhet privatizimi iu ulet vlera ndërmarrjes, sepse ajo është duke u shkatërruar në vazhdimësi. Vitin e kaluar ka pasur numër të vogël të turisteve, pa investime atje edhe sivjet do të ketë pakë e kështu me radhe. Privatizimi sa më i shpejt rrit numrin e turisteve të huaj, por edhe atyre vendor”tha ai./Enis Veliu/